Nënkryetari i LDK-së dhe udhëheqësi i LDK-së si delegim nga Isa Mustafa, Lutfi Haziri, është ndarë i kënaqur me pritjet që gjilanasit sot ia bënë kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani.
“Mijëra kryengritës. Falëmnderit rinisë, burrave dhe grave të Gjilanit për këtë mbështetje plebishitare. Falëmnderit për besim!”, ka shkruar Haziri.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, i ka quajtur “politikanë me mendësi primitive” të gjithë oponentët politikë që po e sulmojnë dhe po e quajnë të paaftë për shkak se është grua.
Gjatë një tubimi me gratë në Gjilan, ajo ka thënë se sulmet që po i bëhen në baza gjinore dëshmojnë për frikën e oponentëve politikë nga humbja më 6 tetor.
“Oponentëve të mi politikë iu ka hyrë frika në palcë sepse janë frikacakë nga ndryshimi i madh që do ta sjellim më 6 tetor, nga ndryshimi që do ta sjellim ne dhe vetëm ne. Nuk kanë asnjë rrugë përveç se të kthehen tek përbuzja gjinore dhe të tregojnë pasigurinë e tyre duke u përpjekur që të më sulmojnë për faktin se unë jam grua. Keqardhje që në shekullin 21 dhe në vitin 20019 kundërshtarët politikë kanë mentalitet primitiv. Ne e dimë se me çfarë primitivizmi e mentaliteti e kanë udhëhequr këtë vend që 20 vite dhe me çfarë përbuzje i kanë trajtuar qytetarët tanë”.
Ajo tha se pasi të marrë udhëheqjen e qeverisë do të transformoj mënyrën e menaxhimit të shtetit.