Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, kërkon qeveri gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe Vetëvendosjes si parti parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Por është shprehur kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës. Këto qëndrime Haziri i bëri të ditura në një intervistë për KosovaPress, teksa komentoi edhe përplasjet e fundit ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.
Ai i quan si zhurmë politike përplasjet brenda partisë së tij, për të cilat thotë se duhet të lihen për kohën postpandemike.
Nënkryetari i LDK-së që njëherësh është edhe kryetar i Gjilanit, thotë se tani është koha që të gjithë së bashku të fokusohen në armikun e vetëm të quajtur COVID-19.
“Nuk ka nevojë për zhurmë politike dhe nuk është koh a për zhurmë politike dhe duhet lënë në kohë postpandemike qëndrimet puro partiake dhe raportet puro partiake ose institucionale. Unë mendoj se duhet kthyer vijës së parë të frontit, e ajo vija e parë e frontit është koordinimi, bashkëpunimi, pavarësisht raporteve politike dhe institucionale në luftë me të panjohurën që quhet COVID-19, e që duhet ta ruajmë shëndetin e popullatës sonë. Së paku ta japin një kontribut me ruajt edhe shëndetin politik këto ditë”, thotë ai.
Pavarësisht rrëzimit të qeverisë Kurti me iniciativë të KDL-së, Haziri thotë se në Kosovë nuk ka ende krizë politike. Thotë se LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse, me VV-në, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, por shton se kriza eventuale politike mund të zgjidhet vetëm në frymë Kushtetuese.
“LDK-ja është për frymën Kushtetuese t ë zgjidhjes së krizës politike. Duhet me ia gjet vaksinën politike krizës në të cilën mund të vjen në shprehje meqë qeveria është në detyrë. Për momentin vlerësoi se nuk ka kriza politike, por eventualisht fryma Kushtetuese është rruga e vetme që i jep zgjidhje opsioneve të tjera të ndërtimit të qeverisë. LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse me VV-në si parti e parë e dalun me 6 tetor dhe partitë tjera. Sa më gjithëpërfshirëse është më mirë dhe më e drejtë. Duke e përjashtuar rolin tonë gjithmonë jo domosdoshmërish me qenë në qeveri, ne mund të kontribuojmë edhe në forma te tjera. Këto janë dy opsione që tash për tash janë diskutuar. Nëse ka opsione të tjera që mund të vijnë si pasojë e frymës kushtetuese lidershipi i LDK-së atëherë me kohë do të ulet për të diskutuar mundësinë e vendosjes së masave për një stabilitet politik në Kosovë në kohë pandemi gjithmonë”, thotë ai.