24 marsi i vitit 1999 është njëra nga datat më të rëndësishme për popullin e Kosovës, pasi po në këtë ditë, 19 vite më parë, forcat e NATO-s me në krye SHBA-të, intervenuan mbi caqet ushtarake serbe, duke e ndihmuar popullin e Kosovës në momentet më të rënda.
Në këtë përvjetor, u përulemi të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ndërsa u shprehim mirënjohjen tonë miqve tanë, ushtarëve të NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na dolën në ndihmë në orët e liga të fushatës së spastrimit etnik e të përpjekjes për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.
24 marsi i vitit 1999 ishte ditë e shpresës për popullin e Kosovës, ku pas 78 ditë bombardimesh mbi caqet ushtarake serbe, Kosova u çlirua përfundimisht nga vuajtjet shekullore, e më pas u kurorëzua edhe me Pavarësinë e vendit, më 17 shkurt 2008.