Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe përfshirje më të gjerë politike, duke e cilësuar këtë moment si të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe funksionimit të shtetit të Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia po hap listën për të gjithë rugovistët, besimtarët e Republikës dhe qytetarët që e duan Kosovën, pavarësisht se ku jetojnë.
“Liria, Pavarësia dhe Demokracia u takojnë të gjithëve dhe sot, mbi të gjitha, duhet mobilizim qytetar për t’ia shtuar vlerën demokracisë dhe funksionimit të shtetit”, thuhet në mesazhin e Hazirit.
Ai theksoi se LDK vazhdon të mbështetet në vlerat tradicionale të familjes, Republikës dhe besimit, duke e cilësuar subjektin politik si “besë dhe shpresë për Kosovën”.
Në fund të mesazhit, Haziri ritheksoi moton: “Republika, mbi të gjithë!”, duke bërë thirrje për unitet dhe angazhim qytetar në proceset demokratike të vendit.

