Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka zhvilluar sot një takim me tregtarët e Tregut të Gjelbër, me të cilët ka diskutuar lidhur me finalizimin e projektit të madh për ta.
Haziri u ka konfirmuar se më 28 nëntor, Tregu i Gjelbër do t’i dorëzohet tregtarëve.
Kryetari Haziri ka thënë se arsyeja e vonesës së këtij projekti është pandemia dhe harmonizimi i projektit sipas kërkesave të tregtarëve.
“Pasqyra e një qyteti është teatri dhe tregu. Jam i lumtur që jemi në finalizim të këtij projekti modern dhe më 28 nëntor Tregu i Gjelbër do të jetë i tregtarëve”, ka thënë kryetari Haziri.
Paralelisht me Tregun e Gjelbër, Haziri bëri të ditur se do të përfundohet edhe Tregu i Kafshëve, Tregu i Plaçkave, Tregu i Rërës e Tregu i Veturave, derisa tregjet mobile tash e sa vite janë finalizuar në Zhegër, në lagjen Dardania, në lagjen Iliria e në Arbëri, si mundësi më e lehtë e shitjes së produkteve nga fermerët.
Krejt këto tregje janë në menaxhim të ndërmarrjes lokale “Tregu”, kryeshef i të cilës është Avdyl Jerliu, i cili tashmë është edhe kandidat për asamble nga radhët e LDK-së.