Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ekipin e tij, mori pjesë në takimin bashkëbisedues me strukturat e nëndegës së LDK-së në Malishevë, organizuar nën masat anti-Covid-19.
Kryetari i nëndegës së Malishevës, Rashit Sahiti, në një fjalë përshëndetëse, u zotua se bashkë me kryesinë dhe qytetarët e Malishevës, do ta jetësojnë fitoren e madhe të 17 tetorit.
Kryetari Haziri, falënderoi përzemërsisht strukturat dhe qytetarët e Malishevës, për organizimin, mibilizimin dhe vullnetin e plotë për t’i avansuar interesat e përgjithshme të qytetarëve të Malishevës, duke u angazhuar maksimalisht për t’ia dhënë mandatin e pestë.
“Në Malishevë gjithmonë e kam pasur mikpritjen e ngrohtë dhe përkrahjen maksimale. Faleminderit për besimin e vazhdueshëm ndaj meje dhe LDK-së. Shumica e projekteve në këtë fshat kanë përfunduar. Në mandatin e ardhshëm do të investojmë në arsim, ndërkaq në shtyllën e familjes dhe në infrastrukturë do t’i përmbyllim të gjitha rrugët dhe trotuaret. Bashkë më impiantin e ujërave të zeza do ta ndërtojmë parkun 8 hektarësh, për t’ia sjellë përfundimisht Malishevës shkëlqimin dhe dinjitetin e saj të plotë. Do të vazhdojmë me skemat sociale dhe zhvillimin lokal ekonomik. Malisheva është prioritet i vitit të parë përgjatë mandatit të ri”, ka thënë Haziri.
Mesazhin e tij të fitores e ka dhënë edhe Latif Maliqi, me numrin 16 nga lista fituese, duke deklaruar se të gjithë banorët e Malishevës e kanë obligim ta mbështesin kryetarin Haziri për shkak të investimeve madhore të cilat kanë ardhur si rezultat i nismës së tij.