Në 21-vjetorin e çlirimit të Gjilanit, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka nderuar me çmime të larta personalitetet që dhanë shumë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, është nderuar me çmimin “Idriz Seferi”, afaristi i njohur Muhamet Ajrullahu me çmimin “Agim Ramadani”, dëshmori i kombit Servet Shala (post mortum) “Idriz Seferi”, derisa mirënjohje për merita të veçanta pas vdekjes i janë ndarë dr. Rexhep Sefiu, prof. Naim Shaqiri dhe gazetarit Ukshin Zajmi.
“Ditët e bardha të Gjilanit dhe Kosovës erdhën më 12 qershor 1999, pas një vuajtje shekullore e rezistence kolektive të shqiptarëve të Kosovës. Janë përpjekje të baballarëve, gjyshërve dhe gjeneratave të tëra për të qenë këtu ku jemi. Këta që janë gjallë dhe të tjerët që nuk janë gjallë, bënë gjithcka që ne sot të kremtojmë lirshëm. Ju faleminderit shumë!”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë kësaj ceremonie.
Falënderim për nderin që i është bërë kanë shprehur rektori Bajram Kosumi, afaristi Muhamet Ajrullahu, sikurse edhe dr. Ajhane Sefiu e Afrime Shaqiri.