Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka nënshkruar sot një marrëveshje me drejtoreshën e organizatës HELP, Shqipe Breznica për ndarjen e 25 granteve për gratë ndërmarrëse, që ka për qëllim rritjen e ndërmarrjeve përmes shfrytëzimit më efecient të energjisë.
Me këtë rast, kryetari Haziri ka falënderuar organizatën HELP dhe drejtoreshën e saj, Shqipe Breznica, si pjesë e projektit që realizohet nga Fondacioni i Mileniumit në Kosovë, ku Gjilani është përfitues i programit të dytë për sanimin dhe renovimin e objekteve private, që gjithashtu ka të bëjë me kursimin e energjisë.
“Këto janë programe që do të na ndihmojnë shumë, në veçanti për gruan ndërmarrëse, për nënën, për kryefamiljaren, e cila përfiton në kuadër të programit të Mileniumit, që Organizata HELP i jep për komunën e Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Kurse Shqipe Breznica, drejtoreshë e organizatës HELP tha se nga kjo skemë e granteve përfitojnë 25 gra ndërmarrëse, për blerjen e pajisjeve të cilat kursejnë energji elektrike.
Gratë mund të aplikojnë pasi të hapet konkursi, ku përzgjedhja do të bëhet përmes një procesi transparent, ndërsa projekti realizohet në bashkëpunim dhe participim me komunën e Gjilanit.
Ndërkaq, Valbona Tahiri, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik, tha se investimi në pajisje që kursejnë energji elektrike, për çka është i destinuar ky projekt, do t`i ndihmojë gratë në uljen e shpenzimeve operative dhe orientimin e atyre mjeteve pastaj në rritjen dhe zhvillimin e biznesit të tyre.