Lutfi Haziri, në një fjalim të mbajtur gjatë “Takimit të Madh të Anamoravës”, shprehu nderin që kishte të ishte pjesë e këtij organizimi të rëndësishëm, së bashku me figura të njohura si Anton Quni, Lirije Kajtazi, Valentina Bunjaku – Rexhepi dhe të tjerë.
Takimi, që u mbajt në Përlepnicë, nën mikpritjen e sipërmarrësit Fehmi Fetahu dhe organizimin e Ligës Shqiptare në Botë dhe Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, mblodhi bashkë intelektualë dhe liderë nga mbarë trojet shqiptare.
Haziri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për një të ardhme të integruar në BE dhe NATO, duke vlerësuar kontributin e pjesëmarrësve për kauzat e përbashkëta shqiptare.
Shkrimi i plotë:
Isha i nderuar që së bashku me Anton Qunin, Lirije Kajtazin, Valentina Bunjaku – Rexhepin, Fadil Hadergjonaj, Fatmir Rexhepin ,Alban Zogaj dhe shumë miq e bashkëpunëtorë të tjerë, të jem pjesëmarrës i Takimit PanShqiptar – NdërBallkanik- EuroAtlantik, të njohur si “Takimi i madh i Anamoravës”, i cili u mbajt në Përlepnicë të Gjilanit, tek Vali Ranch, nën mikpritjen e sipërmarrësit të suksesshëm, z. Fehmi Fetahu, nën organizimin e Ligës Shqiptare në Botë, Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër dhe Gazetës se Alpeve.
Një njeri i madh si z. Ramiz Tafilaj, i cili nga Teksasi i SHBA-ve, përveç ndikimit të madh dhe rolit të tij në çështjen shqiptare, sidomos në çështjen e Pavarësisë së Kosovës, na bashkoi dje të gjithëve për të punuar për kauzat e përbashkëta, për një Republikë më të dashur e më stabile, të integruar në BE dhe NATO.
Isha i nderuar që të pranishmëve t’i adresohem me një fjalë rasti, t’i falenderoj për kontributin, investimet dhe kujdesin, që Takimin e Anamoravës ta bëjnë të shënuar, dhe shpresoj shumë që vitin e ardhshëm në të njejtën kohë, të bëhemi bashkë të gjithë, pa dallime politike, e të vazhdojmë traditën e bashkëpunimit, për të mirën e përgjithshme, për atdheun tonë.