Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarët e komunave, nga Mitrovicë, Prizren, Viti, Kamenicë, Shtime etj., po merr pjesë në Konferencën e OKB’së në Ljubljanë të Sllovenisë, në të cilën pjesëmarrës janë edhe përfaqësues të OJQ-ve, të insititucioneve të OKB’së si mekanizëm për ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet të gjithëve pa dallime politike, etnike e fetare.
Kjo konferencë po mbahet me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antoniu Guyterro, ndërsa i pranishëm është asistent Sekretari i Përgjithshëm në OKB për operacione paqësore, Bintou Keita.
“Mirëbesimi dhe integrimi është e vetmja udhë për zhvillimin dhe avancimin e Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Punimet në konferencë do të vazhdojnë sot dhe nesër dhe përveç strukturave të OKB, po marrin pjesë edhe ato të OSBE, misioni i BE’së në Kosovë, UN Kosova Team, sikurse edhe përfaqësues fetar, etnik e ata nga shoqëria civile.