Lutfi Hazirit, askush asgjë nuk i ka falë në politikë. E njoh qysh nga Forumi i Rinisë, si një djalë të ri që dallohej me një kulturë e vizion perëndimor, që për kohën dhe mentalitetin tonë mund të dukej paksa edhe ekstravagant, por me një qasje korrekte e pragmatike.
Ishte origjinal dhe unik në stilin e tij të të menduarit, të reagimit, të veprimit, të politikë-bërjes.
Dinte t`i kapte momentet më mirë se asnjë tjetër.
Batuta e tij gjatë darkës me ish-ambasadorin shqiptar në Beograd, Besnik Konçi, i cili në vitet e ’90-ta po vizitonte Gjilanin dhe Kosovën për herë të parë, ka mbetur edhe sot në kujtesën politike të brezit të Republikës.
(‘‘Ky qengj paska qenë me fat. Kokën e tij po e ha një ambasador shqiptar. Gjithë qengjat tjerë na i kanë ngrënë serbët”).
I tillë, origjinal dhe unik, Haziri ka ndërtuar edhe karrierën politike, duke nisur nga niveli më i ultë – baza, e deri te numri dy në qeverinë e vendit.
Pavarësisht arritjeve në politikë, Haziri ka mbetur i lidhur gjithmonë me bazën, me njerëzit dhe komunën e tij, ka mbetur ‘Luta juaj’ siç e thotë vetë ai.
Ibrahim Rugova ishte mbase i vetmi lider që e kishte ‘lexuar’ e kuptuar më së miri ‘djalin e ri’ nga Gjilani dhe që atëherë i kishte besuar jo vetëm duhanin (cigaren Independent), po edhe detyra të rëndësishme, fillimisht në parti e pastaj edhe në qeverisje.
Lutfi Haziri nuk është kopje e askujt në politikën kosovare. Ai ka ndërtuar një profil ndryshe prej politikanëve tjerë kosovarë, që në të shumtën e rasteve janë riciklime politike.
Sot, minimumi është e padrejtë të thuhet se Lutfi Haziri nuk ka bërë asgjë për Gjilanin. Ai ka bërë më tepër se gjithë të tjerët për Gjilanin.
Pa Lutfi Hazirin nuk do të kishim ende hyrje-daljet me katër korsi.
E kanë premtuar e provuar edhe të tjerët, por nuk kanë pasur sukses ta bëjnë. (Nuk them dot se nuk kanë pasur vullnet e dëshirë).
Pa Lutfi Hazirin nuk do të rregullohej Mirusha.
Vetë ish-kryeministri Hashim Thaçi e ka nisur këtë projekt dhe ka hequr dorë prej tij.
Pa Lutfi Hazirin zor se do të nisej ende autostrada Gjilan-Konçul (nuk them se nuk do të bëhej kurrë).
Duhet pranuar se Haziri ka ndikim të madh në skenën politike të vendit, në qeverisjen qendrore dhe përtej saj.
Kjo është meritë e tij. Politika është mundësi.
Për interesa të Komunës dhe qytetarëve të Gjilanit, Haziri ka dalë përtej partisë.
Lutfi Haziri ka bërë shumëçka në Gjilan.
A ka nevojë Gjilani edhe për shumëçka tjetër? Po, ka.
Ka shumë projekte që janë në realizim e sipër dhe të tjera që janë në procedura.
Kush mund t`i bëjë e vazhdojë këto projekte më mirë se ai që i ka nisur.
Deshëm apo nuk deshëm, Gjilani i këtij 20-vjetëshi identifikohet me emrin e Lutfi Hazirit, më tepër se me asnjë tjetër.
Edhe në këtë rund të zgjedhjeve, u dëshmua se ai ka një aleancë me qytetarin, një lidhje kjo që shkon përtej partisë.
Sepse, ai është dhe ndjehet Luta i Gjilanit.
/Ilmi Musliu/