Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi kanë vendosur gurthemelin e pikës së përbashkët kufitare Stançiq – Bellanoc, ka shprehur një falënderim të veçantë për Komisionin Evropian që është investues i kësaj pike kufitare, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia do të jetë më i lehtë, sikur që edhe bashkëpunimi ndërkufitar do të jetë më i shpejtë dhe me potencial të zhvillimit ekonomik.
“Janë 12 vjetë punë dhe angazhim i vazhdueshëm që ka sjellur këtë rezultat. Faleminderit Komisionit Evropian dhe dy qeverive, që më në fund e vendosën një prioritet. Është zonë e cila mundëson bashkëpunimin e drejtëpërdrejtë të Gjilanit dhe Komanovës, konkretisht karadakun e Gjilanit dhe Kosovës me atë të Shkupit. Në të ardhmen e afërt Hani i Elezit do të shkarkohet më shumë në lëvizjen e transportit dhe në njerëzve. Lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, do të ketë impakt edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit të dy vendeve”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka potencuar se ky projekt që është nisur para 12 vjetësh, me iniciativë dhe me insistim të vazhdueshëm më në fund po bëhet i mundshëm dhe po hap një corridor të rëndësishëm mes dy Komunave e mes dy shteteve.
“Ndjehem shumë mirë që një punë e nisur para 12 vjetësh po finalizohet me projekt konkret. Është një punë dhe angazhim shumë i gjatë dhe është shumë mirë që më në fund me gjithë atë insistim që kemi bërë me mbështetje të KE-së po fillon realizimi i tij. Natyrisht edhe në nivelin lokal Komuna e Gjilanit ka bashkëpunim me Kumanovën, Likovën dhe Krivapallankën dhe ai bashkëpunim vetëm do të zgjerohet edhe më tutje. Kjo pikë kufitare mundëson lidhjen e shpejtë të Gjilanit me këto Komuna konkretisht Kosovës me Maqedoninë dhe Bullgarinë”, ka potencuar kryetari Lutfi Haziri.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të dy qeverive nga Kosova dhe Maqedonia, por edhe udhëheqësit e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë e Shkup, ku të gjithë i kanë dhënë një mbështetje këtij projekti dhe kanë potencuar faktin se përpos lëvizjes së lirë, në këtë pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë, do të jetë i mundur edhe zhvillimi ekonomik dhe turizmi si një potencial i garantuar i zonës së bukur malore të Karadakut.