Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në pjesën e dytë të intervistës për FaktePlus, ka folur për procesin e bredshëm zgjedhor të partisë që pritet të fillojë së shpejti. Ai ka treguar edhe si mund të ndërtohet bashkëpunimi mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.
Sipas tij, bashkëpunimi me këtë parti mund të ndodh për interesa të caktuara, porse nuk ka qenë e as nuk është i sinqertë, madje jo vetëm me Vetëvendosjen, por as me partitë tjera.
Por, Haziri thotë se bashkëpunimi mes LDK-së e Vetëvendosjes mund të gjendet shumë lehtë, në qoftë se Vetëvendosje kërkon falje për veprimet që i ka bërë, e pranon himnin dhe flamurin e Dardanisë, të kaluarën e Ibrahim Rugovës dhe rolin e LDK-së në proceset historike.
Ndërsa, duke folur për zgjedhjet e brendshme të LDK-së, Haziri ka thënë se ato mund të fillojnë në këta dy muajt e ardhshëm, pasi kryesia ka mandat vetëm deri me 24 maj 2019.
Por, Haziri nuk e ka saktësuar nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.
Ai ka thënë se tash ka ardhur koha që periudha post Rugoviane të hyjë në një fazë krejt të re me një marrëveshje të madhe politike, në mënyrë që LDK ta kthej Kuvendin e saj solemn politik, duke ndërtuar unitet dhe duke marrë rolin e partisë së parë për 20 vitet e ardhshme./FaktePlus/