LVV dhe LDK nuk kanë zhvilluar asnjë takim në 10 ditët e fundit.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë thënë të martën se në ditët në vijim do të ndodhë marrëveshja LVV – LDK për formimin e qeverisë së ardhshme.
Mirëpo krerët e këtyre dy subjekteve nuk kanë zhvilluar asnjë takim në 10 ditët e fundit.
Nga LVV-ja kanë thënë se takimi i radhës do të ndodhë posa kreu i Vetëvendosjes të kthehet nga Gjermania, shkruan sot gazeta Zëri.
Nesër do të bëhen 10 ditë prejse LVV – LDK-ja kanë zhvilluar takimin e fundit lidhur me arritjen e marrëveshjes finale për bashkëqeverisje. Pavarësisht faktit se nga këto dy subjekte ende nuk kanë bërë të ditur se kur do të mbahet takimi i radhës, zyrtarët e LVV – LDK-së kanë përsëritur sërish se marrëveshja mund të finalizohet gjatë kësaj jave.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se në momentin që kreu i partisë, Albin Kurti, të kthehet nga Gjermania do t’i dërgohet ftesa për takim kreut të LDK-së. Ndërkohë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë njoftuar se në takimin e radhës mes kryetarëve të partive përkatëse do të ndodhë pajtueshmëria rreth ndarjes së përgjegjësive brenda institucioneve.
Kërkesa kryesore e LDK-së drejtuar partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, gjatë këtyre javëve, ka qenë lidhur me postin e presidentit, gjegjësisht që kjo pozitë t’i përkasë subjektit i cili aktualisht drejtohet nga Isa Mustafa.
Në anën tjetër gjatë së martës shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka bërë thirrje për formim të qeverisë së re.