Gjatë ditës së sotme është mbajtur takimi i gjashtë në kuadër të grupeve punuese mes LVV-së e LDK-së, raporton zeri.info.
Pas më shumë se tri orë diskutimesh, është bërë e ditur se takimi i sotëm ka qenë i fundit në kuadër të grupeve punuese. Me këtë rast, përfaqësuesi i LDK-së në këtë takim, Avdullah Hoti, ka thënë se dy ekipet kanë përmbyllur të gjitha pikat programore.
Rrjedhimisht, ai ka njoftuar se tash e tutje iu përket liderëve të të dyja partive që të arrijnë një marrëeshje përfundimtare.
“Ky është takimi i fundit. Kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha pikat programore, prej zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, politikës sociale. Sa na përket neve kemi arritur t’i përmbyllim diskutimet tona, ne jemi të gatshëm që këtë marrëveshje në formë të shkruar ta dorëzojmë te kryetarët e partive që do të ulen menjëherë pas certifikimit të rezultateve për ta konkretizuar dhe për ta formalizuar këtë marrëveshje”, ka deklaruar Hoti pas takimit. /Zeri