Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të propozojë Glauk Konjufcën për president të Kosovës.
Në një njoftim për media, kjo parti tha se deri te ky vendim erdhi pasi nuk u gjet një kandidat konsensual për këtë post.
“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, u tha në njoftimin e LVV-së.
Kjo parti ftoi edhe një herë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat, ndërsa u ofroi ndihmë për mbledhjen e nënshkrimeve.
“Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, tha LVV-ja, teksa u shpreh e bindur se “kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”.
Tutje, LVV-ja thotë se në takimet që i kanë mbajtur me subjektet tjera politike parlamentare, nuk kanë marrë asnjë propozim konkret, teka shton se “u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, u tha nga kjo parti.

