Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar për 25 ditë punën e Kuvendit, në pritje të shqyrtimit të ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit.
Në reagimin e saj, VV e cilëson këtë vendim të papranueshëm dhe në kundërshtim me funksionalizimin e një institucioni jetik të shtetit.
“Çdokush do të pyeste me të drejtë pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe? Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit”, thuhet në reagim.
VV akuzon Gjykatën se ka mbajtur anë që nga fillimi i procesit dhe po e zvarrit konstituimin e Kuvendit, duke kujtuar se tashmë janë kaluar 112 ditë nga nisja e procesit më 15 prill.
Sipas VV-së, arsyetimi i Gjykatës se Lista Serbe ka ekskluzivitet në propozimin dhe zgjedhjen e nënkryetarit është i pavërtetë dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
“Çdo interpretim që do t’i jepte Listës Serbe të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit do të ishte i rrezikshëm dhe kundër frymës së organizimit të shtetit të Kosovës,” përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.