Sipas hulumtimeve të bëra nga Qendra për Studime të Avancuara, ka dalë se nëntëdhjetë e shtatë për qind e fëmijëve në Kosovë janë përdorues të rregullt të internetit. Në lidhje me këtë, Ministria e Arsimit ka nxjerrë një Udhëzim Administrativ për mbrojtjen e fëmijëve në përdorimin e internetit. Njohës të arsimit, vlerësojnë se duhet të ketë një vetëdijesim më të madh për mënyrën e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme.
Nga hulumtimet e bëra nga Qendra për Studime të Avancuara FIT, rezulton se nëntëdhjetë e shtatë për qind e fëmijëve në Kosovë janë përdorues të internetit.
Drejtoresha Ekzekutive në Qendrën për Studime të Avancuara FIT, Teuta Zymeri, tha për Radio Kosovën se interneti është bërë pjesë e pandashme, ku nëntëdhjetë e shtatë për qind e fëmijëve në Kosovë ka dalë të jenë përdorues të rregullt. Por ajo që është e rëndësishme është përdorimi i drejtë i tij, tha Zymeri.
“ Në kohën e sotme interneti është bërë pjesë e pandashme jo vetëm të fëmijët por për të gjithë. Në bazë të hulumtimeve tona, ka dalë se nëntëdhjetë e shtatë për qind e fëmijëve janë përdorues të rregullt të internetit. Kjo tregon që nuk është më diçka që duhet të flasim për ta ndalur apo jo, por ajo çka është e rëndësishme është që t’i përgatisim fëmijët për përdorimin e drejtë të tij”, tha Zymeri.
Ndërsa, koordinatorja për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi, i tha Radio Kosovës se Ministria ka nxjerrë një udhëzim administrativ, i cili ka për qëllim përgatitjen e fëmijëve për përdorimin e sigurt të internetit në përputhje me moshën e tyre.
“ Ky udhëzim ka për qëllim që përmes procesit të rregullt arsimor dhe aktiviteteve jashtë mësimore, të përgatiten fëmijët për përdorimin e drejtë të internetit në përputhje me zhvillimin e tyre të plotë që kanë qoftë ai social, fizik, psikik, emocional. Thjesht, fëmijët duhet të dinë se si të përdoret interneti, në mënyrë që mos të ketë efekt negative nga përdorimi i tij” tha Jonuzi.
E Rinor Qehaja, nga Instituti Eduguard, tha për Radio Kosovën se përdorimi i internetit është i pashmangshëm dhe se duhet të nxitet një përdorim i drejtë i tij.
“ Përdorimi i telefonave të mençur, për rrjedhojë edhe internetit është i pashmangshëm, kur dihet dinamika e zhvillimeve si në teknologji dhe globalizim. Përkundrazi duhet të nxitet një përdorim i duhur i tyre, në formë të duhur dhe në kohëzgjatje të duhur. Në ketë rast, përgjegjësia nuk mbetet vetëm e institucioneve por kërkohet një vetëdijesim i prindërve dhe arsimtarëve”, tha Qehaja.
Udhëzimi Administrativ dhe mobilizimi i institucioneve arsimore synon shmangien nga keqpërdorimi i teknologjisë informative, dhuna digjitale, shkelja e privatësisë dhe elementeve të tjera negative që mund të sjellë abuzim me internetin./rtk/