Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur sonte Ekspozita Kolektive e Artit Pamor “Peneli i Flakës”, si njëra ndër shtyllat themelore të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, ku janë ekspozuar punime të krijuesve të ndryshëm, në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë, instalacion, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar piktores Magbule Xhemaili.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në hapjen e kësaj ekspozite tha se ndihet i nderuar që ndodhet në mesin e artistëve dhe artdashësve për ta bërë bashkërisht hapjen e “Penelit të Flakës”, me ç`rast edhe po ekspozohet një pjesë e madhe e artit dhe kulturës së Gjilanit, nëpërmjet artit pamor.
“Ne sapo përfunduam me Akademinë Tematike të “Flakës…” dhe po vazhdojmë me ”Penelin…”, ndërsa janari do të jetë muaji me plotë aktivitete të ndryshme kulturore, e do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen duke mbajtur gjallë traditën, por edhe duke kujtuar të gjithë ata, për të cilët edhe jemi mbledhur sot e po i përkujtojmë”, tha kryetari Hyseni.
I pranishëm në këtë Ekspozitë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ndihet mirë që pas Akademive në Prishtinë dhe në Gjilan, kushtuar të rënëve, bashkë me kryetarin e Gjilanit janë edhe në këtë Galeri, sepse të gjithë veprimtarët që po u kushtohet ky aktivitet, kanë qenë edhe krijues.
Kryeministri tha se ata kanë krijuar në aspektin artistik, përveç se në atë shoqëror dhe përveç shkrimeve, fjalimeve, teksteve që ata i kanë prodhuar, përveç këngëve që i kanë kompozuar e kënduar, është e domosdoshme ta kemi edhe pikturën, vizatimet, të gjitha këto punime që janë shprehje e shpirtit krijues të brezit aktual, në mënyrë që përvojat tona jetësore, mendimet, ndjenjat, ndjesitë… edhe në këtë formë t’i paraqesim dhe t’ia komunikojmë njëri tjetrit.
Duke iu referuar punimeve të ekspozuara në këtë ekspozitë, kryeministri Kurti tha se ka parë talente e entuziazëm që duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale edhe nga ato qendrore, për shkak se njerëzit që krijojnë, prodhojnë, ndërtojnë, janë ata të cilët e bëjnë vendin tonë edhe më të jetueshëm, edhe më të dashur.
Njëri nga përgjegjësit për artin pamor, në kuadër të “Flakës…”, skulptori Avni Behluli, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e këtij organizimi dhe ka bërë me dije se kësaj here “Peneli i Flakës”, ka tubuar elitën e artistëve shqiptar, por edhe të kombeve tjera. Interesimi për të qenë pjesë e Penelit të sivjetmë ka qenë i madh dhe kishte mbi 100 të interesuar, prej të cilëve, janë kualifikuar 61 artistë, e janë prezantuar degët dhe mediumet shprehëse vizuele si: piktura, skulptura, grafika, vizatimi dhe instalacioni.
Përndryshe, juria profesionale në përbërje: Ragip Ramadani, skulptor, Valdrin Bajrami, piktor dhe Arta Llapashtica, grafiste, kanë ndarë edhe tri çmime për: Gëzim Brestovci – pikturë, Fatmir Krypa – grafikë dhe Malë Myrtaj – skulpturë.
Përndryshe, manifestimi kulturor mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, me të cilën nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë përgjatë janarëve të historisë, vazhdon tutje më 19 janar, me Ekspozitë memoaresh e kujtimesh “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”.