Në një ceremoni solemne shtetërore të organizuar në Universiten e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, ku prezent ishin edhe krerët më të lartë të shtetit dhe ushtrisë turke, përfshirë Presidentin Rexhep Taip Erdogan, ka diplomuar Major Fatlum Demiri, i cili nga data 3 Tetor 2022 deri më 07 Korrik 2023, ka ndjekur Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP).
Njëkohësisht, ai ka përfunduar me sukses Programin Master të Studimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë (Defence and Security Studies Master of Arts Program). Nga ky kurs gjithashtu ka diplomuar edhe Major Bashkim Ademi.
Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm ka për qëllim edukimin, trajnimin dhe zhvillimin e liderëve të së ardhmes. Oficer të aftë e kompetent për të kryer detyrat me përgjegjësi dhe për të udhëhequr me nder e besnikëri çdo herë dhe çdo vend.
Pjesëtarët e FSK-së, përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore duke e prezentuar Kosovën, veçanërisht FSK-në në mënyrën më të mirë të mundshme në mesin e 120 oficerëve nga 18 shtete të ndryshme të botës.
I diplomuar si pjesë e Gjeneratës së parë të Akademisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Major Fatlum Demiri ka shërbyer në detyra dhe pozita të ndryshme gjatë kësaj periudhe kohore si Udhëheqës Togu, Instruktor, Oficer për Trajnime në G-3, Oficer Ndihmës i Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shef i Kabinetit të Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe së fundmi si Oficer për Menaxhimin e Karrierës së pjesëtarëve të FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.
Vlenë të përmendet që Major Fatlum Demiri, Kursin Bazik për Oficer si dhe Kursin e Karrierës për Kapiten në fushën e Agjutantit (Personelit / BNJ) i ka përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./mediafokus.info/