Edhe pse sezoni kryesor turistik është në prag, në Mal të Zi ende nuk janë hapur të gjitha plazhet, aeroportet po funksionojnë me kapacitete të kufizuara, ndërsa kolonat në trafik maten me kilometra.
Pavarësisht premtimeve të qeverisë, as këtë sezon nuk është përmirësuar ndjeshëm qasja ajrore në Mal të Zi, e as qarkullimi nëpër kufi, raporton REL.
Mungon edhe zbatimi i paralajmëruar i taksës së tranzitit, që supozohej të lehtësonte ngarkesën në magjistrale nga turistët që vetëm kalojnë përmes Malit të Zi.
Për shkak të vonesave në tenderët e ndërmarrjes shtetërore Morsko dobro, shumë qiramarrës plazhesh ende nuk kanë nisur punën për shkak të procedurave administrative.
Kanë kërcyer edhe çmimet – ato të akomodimit, të çadrave e shtretërve të plazhit, dhe të ofertës jashtë paketës së zakonshme turistike.
Shërbimi do të ndikohet edhe nga mungesa kronike e fuqisë punëtore, pasi ende nuk është miratuar ligji për punëtorët e përhershëm sezonalë.
E gjithë kjo po ndodh në një vit kur gjatë tre muajve të parë është regjistruar një rënie prej 10 për qind të netëve të qëndrimeve, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat nga turizmi kanë rënë për 6.4 për qind.
Kjo përbën vazhdimin e një prirjeje negative nga viti i kaluar, kur për herë të parë në dy dekadat e fundit nga turizmi u fituan gati 1.5 miliard euro më pak sesa një vit më parë.