Mali i Zi ka lehtësuar masat anti-COVID që nga e premtja (11 mars), e të cilat masa do të vlejnë deri më 24 mars.
Sipas informacioneve të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi, qytetarët që duan të hyjnë në Mal të Zi nuk kanë nevojë për certifikatë vaksinimi.
“Shtetasit e Malit të Zi por edhe të huajt mund të futen në Mal të Zi përmes të gjitha pikëkalimeve kufitare pa (posedimin) certifikatën COVID”, thuhet në njoftim.
Lidhur me lehtësimin e masave antiCOVID në Mal të Zi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka njoftuar qytetarët e saj të premten se hyrja në Mal të Zi mund të bëhet pa certifikatë vaksinimi.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme ka shtuar se “qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë lirisht në Mal të Zi, pa qenë nevoja të paraqesin në kufi certifikatë vaksinimi apo çfarëdo testi lidhur me COVID- 19”.
Ministria ka publikuar gjithashtu një link ku qytetarët mund të konsultohen për të gjitha udhëtimet jashtë vendit.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar qytetarët e saj për lehtësimin e masave antiCOVID në Mal të Zi.
Telegrafi i ka shkruar Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi dhe zyrtarëve të MPJD-së, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/