Pasuria e cila s’mund të arsyetohet, do të konfiskohet nga shteti. Një gjë e tillë do të bëhet nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i ligji, i cili, tashmë, ka marrë dritën e gjelbërt nga Qeveria e Kosovës.
Mirëpo, kjo ide po hasë në kundërshtim nga ligjvënësit opozitarë.
Madje, ata kanë kërkuar që ky projektligj të adresohet edhe në Komisionin e Venecias.
Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, shpreh shqetësimin se themelimi i byrosë është tendencë për krijim të institucioneve paralele gjyqësore, raporton t7.
E, këto pretendime po i hedhë poshtë Ministria e Drejtësisë.
Në një përgjigje për televizonin, ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, iu është përgjigjur deputetit të PDK-së.
Në anën tjetër, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Komisonin për Legjislacion, thotë se projektligji vlen vetëm për pasuritë pajustifikueshme të zyrtarëve të fituara nga viti 2008 e këndej.
E vërejtje për përmbajtjen e këtij projekligji kanë edhe njohësit e fushës së legjislacionit.
Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tregon të metat juridike që përmban ky projektligj.
Sipas përmbajtjes aktuale të këtij projekligji, në rast se nga të dhënat e mbledhura dëshmohet mospërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, atëherë zyrtari i byrosë propozon dërgimin e çështjes për konfiskim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ky propozim i dorëzohet drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim.