Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka nderuar me Medaljen “Shërbim i Shquar” Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në vlerësim të shërbimit dhe përkushtimit të tij ndaj sigurisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili ka njoftuar se medaljen ia ka ndarë Jasharit në një ceremoni të organizuar me rastin e Ditës së Forcës.
Në postimin e tij, ministri ka përmendur edhe rrugëtimin e gjeneralit Jashari, i cili ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari gjatë luftimeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit. Pas kësaj qëndrese, ai vazhdoi angazhimin si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e vendit, në qershor të vitit 1999.
Maqedonci ka përmendur si pas luftës, Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, fillimisht si zëvendëskomandant e më pas si komandant i Zonës së Parë Mbrojtëse.
Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Maqedonci shkruan se Jashari shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, duke kontribuar në proceset e zhvillimit dhe tranzicionit të saj. Në nëntor të vitit 2021, u emërua komandant i FSK-së.
Ministri ka vlerësuar se gjatë pesë viteve në këtë detyrë, gjenerallejtënant Jashari ka udhëhequr procese me rëndësi historike për transformimin dhe fuqizimin e FSK-së, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërinë me forcat e vendeve aleate.
Sipas tij, Jashari ka dhënë kontribut edhe në thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund, Maqedonci e ka falënderuar komandantin e FSK-së për bashkëpunimin e ngushtë dhe shërbimin e çmuar ndaj Kosovës.










