Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë kësaj qeverisjeje janë investuar rreth 500 milionë euro në blerjen e sistemeve të armatimit, mjeteve transportuese dhe pajisjeve të tjera për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e shënimit të 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, Maqedonci tha se investimet janë përqendruar në tri fusha kryesore: pajisjen e FSK-së me armatim dhe mjete të nevojshme, zhvillimin e personelit dhe ndërtimin e infrastrukturës ushtarake.
Sipas tij, Kosova tashmë ka përmbyllur rekrutimin e numrit të paraparë të pjesëtarëve deri në vitin 2028, ndërsa paralelisht janë zhvilluar programe të ndryshme të trajnimit dhe edukimit profesional.
Ad Banner
Maqedonci bëri të ditur se FSK-ja ka tashmë katër baza më shumë sesa ishte paraparë në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, si dhe dy poligone të mëdha të trajnimit, të cilat shfrytëzohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë për ushtrime të përbashkëta.
Ai përmendi edhe ushtrimet ndërkombëtare të serisë “Defender Europe”, duke theksuar se disa prej objektivave të planifikuara për vitin 2028 janë arritur më herët.
“Shumë prej fushave i kemi tejkaluar qysh tani, nuk do ta presim vitin 2028 për t’i deklaruar të validuara shumë kapacitete që i kemi kryer tani”, deklaroi Maqedonci.










