Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në përmbyllje të vizitës në ShBA, ka vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët Black Hawk. Helikopter këta siç ka thënë Maqeonci do t’i kenë në flotën e mbështetjes ajrore të ushtrisë së Kosovës.
Maqedonci ka bërë të ditur se është takuar me menaxhmentin e kësaj kompanie, ku kanë diskutuar për opsionet e përfshirjes së helikopterëve, në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Në përmbyllje të vizitës në ShBA, e vizitova fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët Black Hawk, që do t’i kemi në flotën e mbështetjes ajrore të ushtrisë së Kosovës. Së bashku me Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe Ambasadorin Blerim Reka, shef i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, e takuam menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuam për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kosova do të jetë më e sigurtë me helikopterët që fluturojnë mbi qiellin e saj”, ka thënë Maqedonci.