Gjilan, 24 janar 2017 / Marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ka sjellur rezultatet e para të cilat janë programe të drejtëpërdrejta në përmirësim të shërbimeve dhe rritje të efikasitetit në punë për shkollat dhe Ndërmarrjet Publike të Gjilanit.
Studentët e shkencave kompjuterike kanë prezantuar punën e tyre në përpilimin elektronik të orarit mësimor, uebfaqes së shkollave, digjitalizimin të punës dhe shërbimeve në stacionin e autobusëve si dhe aplikacioni për menaxhimin e pagesave dhe shërbimeve hoteliere.
Me këtë rast në fjalën e tij në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, me fjalë mbështetjeje është paraqitur para të pranishmëve, Faton Bislimi, Koordinator për Politika dhe Marrëdhënie Rajonale, ku ka thënë se ky hap i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, po jep rezultate konkrete në një afat të shkurtër kohor.
“Kryetari Haziri dhe rektori Kosumi kanë nënshkruar një marrëveshje e cila sot po jep frytet e para të prekshme që janë bërë të tilla falë angazhimit të stafit akademik dhe juve studentëve të kësaj katedre. Kjo është një ide, e cila, është kthyer në realitet për të gjithë ne. Për rininë dhe studentët barti një mesazh që të fuqizoni veten me arsim cilësor, pastaj ta përdorni këtë arsim për të ndërtuar vendin që është madhor sa ëndrrat e juaja për të ardhmen. Bëhuni shembull i ecjes përpara, duke ju udhëhequr shpresa dhe asnjëherë frika”, ka thënë ai, duke potencuar rëndësinë e madhe që kanë të rinjtë profesional në shekullin e digjitalizimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Bislimi po ashtu ka konfirmuar gatishmërinë e administratës së udhëhequr nga kryetari Haziri, për vazhdim të bashkëpunimeve edhe në fusha të tjera, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për publikun me këtë rast shkollat dhe ndërmarrjet, e në të ardhmen edhe institucionet tjera publike dhe rrjetin e bizneseve në përgjithësi.
Ndërsa, rektori Bajram Kosumi ka thënë se kjo që po prezantohet sot është një hap i vogël konkret, mirëpo ditë shumë e lumtur për menaxhmentin dhe universitetin në përgjithësi.
“Është hera e parë që studentët janë ballafaqur me tregun e punës. Janë të rrallë studentët e Kosovës që në këtë moshë sikur ju të bëjnë diçka të tillë. Të tjerët pas diplomimit nisin kërkesën për punësim dhe ballafaqim me aspektin praktik, ndërsa, ju jeni ballafaquar me tregun e punës që në fillet e studimeve. Kjo për kushtet e Kosovës është shumë e mirë dhe e rëndësishme. Shpresojmë në rezultate edhe më të mëdha gjatë të ardhmes, ndërsa mbështetja e universitetit do të jetë maksimale në kuadër të kushteve dhe mundësive që ka”, ka thënë mes tjerash rektori Kosumi.
Nga ana e tij, dekani Xhevdet Thaçi dhe profesori Blerim Rexha, kanë potencuar rëndësinë që kanë këta hapa të rëndësishëm dhe praktik të studentëve të Gjilanit dhe njëkohësisht kanë paralajmëruar edhe angazhime të tjera drejtë ndryshimeve edhe më të mëdha në shërbim të avancimit teknologjik të shërbimeve dhe risive për qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës.
Show original message