Pas dakordimit të Partisë Demokratike të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe pajtimit për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare duke e shpërndarë Kuvendin, zyrtarë të këtyre partive janë marrë vesh që edhe përleshjen e ndodhur gjatë vitit të kaluar në Kuvend – ta zgjidhin nëpërmjet ndërmjetësimit.
Ndërkaq, pas seancës gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës për këtë rast, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se kjo marrëveshje me LVV-në u bë për shkak se kjo parti “është e dobët në negociata”.
“Le të përfundon më shpejt si procedurë, Lëvizja Vetëvendosje janë më të dobët, ne jemi të fortë në ndërmjetësim”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Por, këto dy parti fillimisht u afruan kur gjatë këtij muaji, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ndryshe nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të darkuar.
Tri ditë pas takimit mes Kurtit e Krasniqit, partia e këtij të fundit nisi t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, meqë deri tani nuk kishin kaluar, pasi duheshin 2/3 e deputetëve.
Pajtim mes PDK-së dhe LVV-së ka edhe për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme duke e shpërndarë Kuvendin, ndërsa LDK dhe AAK kërkojnë që një gjë e tillë të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mosbesimit.
Pas relaksimit të raporteve mes këtyre dy partive, janë shtuar zërat edhe për ndonjë lokacion të mundshëm PDK-LV, teksa partitë politike në vend deklaruar të gatshme për zgjedhje.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, theksoi për Albanain Post se nëse do ishte interes i dyjave partive për bashkëpunim, do të mund të jetësohet ky koalicion.
“Në politikë nuk ka armiq dhe miq të përhershëm, në politikë ka interesa dhe në nëse interesat e PDK-së dhe LVV-së puqen, atëherë mund të ketë koalicion”, tha Haliti.
Pos Halitit edhe deputetët e kësaj partie Hisen Berisha dhe Ariana Musliu-Shoshi nuk e kanë përjashtuar një koalicion me LVV-në, duke thënë se “nuk kanë vija të kuqe” me asnjë parti dhe këtë do ta bënin “për ta shpëtuar Kosovën”./albanianpost/