Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në “Marshin për drejtësi”, i cili do të mbahet nesër më 2 prill nga ora 14:00. Ky marsh është mbahet në vigjilje të nisjes së gjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimit të cilët akuzohen për krime të supozuara lufte.
Në fjalën e saj, Hoxha bëri thirrje që të gjithë së bashku të marshojnë për ata që dikur marshuan drejt lirisë.
“E vërteta e luftës së UÇK-së është e vërteta e secilit prej nesh është e vërteta e shtetit të Kosovës. Për historinë që nuk mund të rishkruhet… Kjo mbështetje e pa rezervë tregon peshën dhe nevojën për të dalë në mbrojtje të historisë sonë të lavdishme e cila sot është e rrezikuar nga interpretimet e reja. Ne besojmë në drejtësinë e alternativë me shpresën që asnjëherë nuk do të instrumentalizohet nga politika”, deklaroi Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli tha se e vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë, është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.
“E kemi për mision e qëllim qytetar, që dinjitetin dhe të drejtën tonë ta mbrojmë me përkushtim, Në këtë rast, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgiminë e saj historike dhe luftën tonë heroike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të imponuar dhe të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës dhe për lirinë e vendit tonë. Këtë të vërtetë duhet ta ruajmë gjithë, sepse është një e vërtetë e çdonjërit. Është e vërteta e Kosovës së djeshme, e të sotmes dhe e Kosovës të së nesërmes”, tha Tasholli.
Hoxha falënderoi të gjitha kategoritë e shoqërisë, të cilat e kanë mbështetur realizimin e këtij marshi dhe janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.
“Marshi për drejtësi” që mbahet në Prishtinë në ora 14:00 do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu”. Në këtë pikë do të mbahen edhe fjalimet. Për të gjithë qytetarët nga qytetet e tjera ka transport të organizuar drejt kryeqytetit.