Izmi Zeka
Masakra në Llovcë të Gjilanit mbeti e harruar pothuajse për 23 vitet që ikën.
Sot e jo vetëm sot kur është përvjetori i dhimbjes dhe vrasjes makabre të 7 qytetarëve e që ekzistojnë edhe dëshmitarë për vrasësit, nuk u bë asgjë dhe nuk u sollën para drejtësisë vrasësit dhe masakruesit.
Në masakrën e fshatit Llovcë më 5 prill 1999 janë vrarë Rabit Tahir Dalipi (1951), Kokaj, Xhevrije Ramë Zeqiri (1944), Xhemail Kadri Halimi (1969), Llovcë, Sami Abdyl Xhelili (1971), Llovcë, Avdi Selver Rexhepi (1975), Kokaj, Rahim Bajram Ymeri ( 1954), Llovcë, Nexhmije Riza Azemi (1949), Llovcë.
Kjo masakër dhe shumë masakra tjera që u bënë në Kosovë ishin alarm për botën perëndimore për të ndërhyrë në Kosovë kundrejt forcave serbe.
Andaj kjo masakër e 5 prillit 1999 jo që duhet të rikujtohet në çdo përvjetor, por akterët vrasës duhet të nxirren para drejtësisë.
Masakra e Llovcës për fatkeqësinë tonë ende nuk është e njohur sa duhet edhe në Kosovë e mos të flasim në dokumentet ndërkombëtare.
Për fund nderi dhe respekti i përjetshëm për të rënët e kësaj masakre monstruoze të bërë nga shteti serb gjenocidal.