Njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.
Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.
*Kujdes, materiali përmban imazhe të rënda.
15 Janar 1999
Forcat policore e ushtarake serbe vrasin 45 civilë shqiptarë
Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak u dëgjuan të shtënat e para nga armët e zjarrit. Të frikësuar, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë.
16 Janar 1999
William Walker viziton vendin ku ndodhi masakra
Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.
Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave dhe filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe me forcë i morën të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me arsyetimin se duhej bërë obduksioni për shkak se autoritetet serbe mohonin të kenë vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime. Presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje “ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.
6 Shkurt 1999
Fillon konferenca në Rambuje të Francës
Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe liderin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.
8 Shkurt 1999
Familjarët fillojnë kthimin e trupave nga Prishtina në Reçak
Familjarët u lejuan që të shkonin për t’i marrë trupat e të vrarëve. Kthimi i trupave në fshat zgjati disa ditë pasi administrata serbe e asaj kohe, nuk ua dorëzonte familjarëve përnjëherë trupat e të vrarëve.
11 Shkurt 1999
Organizohet varrimi i civilëve të vrarë
Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.
24 Mars 1999
Dështon konferenca në Rambuje, NATO fillon bombardimet
Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, NATO filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Në arsyetimin e NATO-s u tha se operacioni po zhvillohej për të ndaluar abuzimin me të drejtat e njeriut në Kosovë.
10 Qershor 1999
Tërhiqen trupat ushtarake dhe policore serbe nga Kosova
Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe në fund, më 10 qershor 1999, Kosova u çlirua.
20 Tetor 2003
Tribunali i Hagës ngre aktakuzë ndaj eprorëve të lartë serbë
Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish- Jugosllavisë, publikoi një aktakuzë kundër disa eprorëve të lartë serbë për krimet e bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999. Në këtë aktakuzë u përfshin ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq, komandanti i Korpusit të Prishtinës Vlladimir Llazareviq, shefi i Policisë Serbe për Kosovën Sreten Llukiq dhe ndihmësi i Ministrit të Brendshëm serb, Vllastimir Gjorgjeviq, mirëpo asnjëri nuk u dënua drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në Reçak.
18 Qershor 2010
Publikohet monografia që dëshmon krimet e luftës në Kosovë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) publikoi monografinë për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Përfaqësues të KMDLNJ-së dhe Qeverisë së Kosovës thanë se monografia pasqyron faktet për krimet e bëra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Pjesë e kësaj monografie u tha se janë edhe krimet që u kryen ndaj popullatës civile në fshatin Reçak të Shtimes.
15 Janar 2019
Shënohet 20 vjetori i masakrës së Reçakut
Shënohet 20 vjetori i masakrës së Reçakut. Në shënimin e përvjetorit të kësaj masakre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ngjarjen e Reçakut e ka cilësuar moment historik. Haradinaj u shpreh kritik ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar sa i takon hetimit të vrasjes së shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë. “Kurrkush Kosovës nuk ja ka dhënë asnjë certifikatë të tregojë se si kanë vdekur ata njerëz. Së pasi si u morën nga Krusha, nga Meja nga Berishët në Suharekë nga Abria nga Studimja, si u morën? Kush i mori? Kush i çoi? Çfarë i gjeti ata para se të vdesin? A ua morën ndonjë organ? Ai i vranë apo i dhunuan? Asnjë të dhënë nuk ia ka dhënë këtij vendi dikush. Nuk na ka dhënë askush një shpjegim, një certifikatë të thjeshtë”, ka deklaruar Haradinaj.
5 Dhjetor 2019
Todosijeviq dënohet me dy vjet burgim për nxitje të urrejtjes
Gjykata në Prishtinë e shpalli fajtor ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq. Ai u gjet fajtor për një deklaratë që e kishte bërë më 2018, kur e quajti trillim masakrën e Reçakut. Todosijeviq u dënua me dy vjet burg.
5 Dhjetor 2019
Aleksandar Vuçiq e quan “trillim” masakrën e Reçakut
Edhe pas më shumë se dy dekadave, Serbia vazhdon të mos i pranojë ngjarjet që ndodhën në fshatin Reçak. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 5 dhjetor, 2019, tha se masakra e Reçakut ishte “trillim”. Deklarata e presidentit serbe Vuçiq nxiti reagime. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë tha se deklaratat nxitëse “janë të papranueshme”, ndërsa Bashkimi Evropian tha se ngjarjet në Reçak janë “të pamohueshme”.
10 Dhjetor 2019
Thaçi: Serbia vazhdon t’i mohojë krimet
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi viziton Reçakun ku thotë se masakra që ndodhi në këtë fshat “ishte pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer ndaj popullatës civile në Kosovë”.
“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke i etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë”, tha Thaçi.
15 Janar 2020
21 vjet nga masakra e Reçakut
Bëhen 21 vjet nga dita kur ndodhi masakra e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes./REL