Që nga dita e hënë, 8 qershor 2020, qytetarët kanë të drejtë lëvizjeje 24 orë. Po ashtu, personat të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nga cilido shtet, nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7-ditor.
Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për medie, ku ka komunikuar masat e reja lidhur me pandeminë Covid-19.
Ai tha se nga e hëna e 8 qershorit, hiqet krejtësisht kufizimi i lëvizjes në tërë Kosovën.
Sipas masave në fuqi, qytetarët e Kosovës nuk mund të qarkullojnë nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në ora 05:00 të mëngjesit.
“Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha Zemaj.
“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19″.
Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë.
“Bazuar në situatën epidemiologjike MSH dhe Qeveria e Kosovës do të mundësoj liri të plotë të qarkullim të mallrave në veçanti me shtetin e Shqipërisë”, është shprehur Zemaj.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ndërkaq theksoi se IKSHPK po vazhdon me testime në popullatë me qëllim të zbaulimit të rasteve me Covid-19 dhe parandalimit të përhapjes së virusit.