Qeveria e Kosovës pritet që të mërkurën të vendos në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Telegrafi mëson se do të ketë zgjatje të orarit të lëvizjes për të gjitha komunat, dhe se kategorizimi i komunave me zona nuk është hequr.
Orari i lëvizjes do të jetë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Po ashtu edhe operatorët ekonomikë do të mund të punojnë gjatë këtij orari dhe pas orës 20:00 shërbimet e gastronomisë dhe hotelerisë lejohen të punojnë me shërbimin “Merre me vete”, edhe për komunat që janë në zonën e kuqe e që deri më tani e kanë pasur të ndaluar këtë shërbim.
Ndryshe kryeministri Hoti do të prezantojë këto masa sot në një konferencë shtypi e cila do të nis në orën 15:00.