Në Seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, anëtarët e kuvendit, disa prej tyre, kanë parashtruar pyetje rreth çështjes së coronavirusit, rreth asaj se çfarë masash janë duke u ndërmarrë nga institucionet komunale për preventivë.
Në këtë është përgjigjur, Selami Xhemaili, drejtor i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sipas të cilit, në përputhje me kërkesat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje nga Coronavirusi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai tha se të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e IKSHP për t’u mbrojtur nga ky virus, i kanë ndërmarrë, për sa i takon aspektit të shëndetësisë primare. Ai tha se është ndarë edhe hapësira e kërkuar për karantinë nëse do të kemi raste të të prekurve me këtë virus. Po ashtu është bërë sigurimi i pajisjeje mbrojtëse për stafin dhe personelin shëndetësor të QKMF-së, me kapacitete e QKMF-së, por janë bërë edhe kërkesa për pajisje shtesë në adresë të Institutit përkatës.
Po ashtu, Xhemaili ka thënë se janë formuar tri ekipe në kuadër të QKMF-së, të cilat i mbulojnë tri pikat kufitare të regjionit, te “Dheu i Bardh”, në Stanqiq dhe në pikën kufitare në Muqibabë, ku këto ekipe kujdestarojnë 24 orë. “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të personave që hyjnë e që vijnë nga vendet të cilat janë të prekura me sëmundjen e coronavirusit”, ka thënë Xhemaili.
Po ashtu ai tha se edhe raporti bëhet në baza ditore, pra bëhet përditësimi i të dhënave. Xhemaili bëri me dije se deri më tani, në nivel vendi, kanë qenë 17 rate të dyshuara, por që fatmirësisht kanë rezultuar që të gjitha negativ.