Në Klinikën Infektive në QKUK dje është paraqitur me dyshime për koronavirus një shtetas jokosovar, 69-vjeçar, i cili ka qëndruar në Itali dhe dy shtetas të tjerë kosovarë, 25-vjeçar dhe 23- vjeçar, të cilët kanë ardhur dje nga Italia. Të tria këto raste rezultuan negative me këtë virus. Përhapja e shpejtë e tij tashmë ka shkaktuar panik te qytetarët.
Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësis kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijesuese rreth koronavirusit. MASHT-i po ashtu përmes drejtorive komunale të Arsimit ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë në orën e parë të mësimit të ndërrimit të pasdites dje dhe në orën e parë të ndërrimit të paradites sot t’i kushtohet rritjes së vetëdijesimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese, duke u bazuar në materialet dhe në udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.
MAShT-i i ka udhëzuar DKA-të t’i pajisë shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe të nyjave sanitare./Zëri