Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të hënën e 3 tetorit do të fillojë mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Përmes njoftimit, MASHTI ka bërë të ditur se kishin bërë përgatitje që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator por që nuk u realizua për shkak të grevës.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër, (e hënë, 3 tetor 2022), fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK. Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Ministria njoftoi se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.