Kongresisti republikan nga Florida, Brian Mast, ka paraqitur një amendament të rëndësishëm në Kongresin e SHBA-së, i cili kërkon angazhim më të madh amerikan në Ballkan dhe një qëndrim të qartë ndaj çështjeve kyçe të rajonit.
Sipas organizatës “Albanians for America”, e cila ka kontribuar në këtë proces, ky është një zhvillim i rrallë dhe historik – për herë të parë në mbi dy dekada, gjuha mbi Ballkanin është riautorizuar në këtë formë.
Amendamenti i propozuar nga Mast njeh rëndësinë strategjike të rajonit dhe përshkruan disa përparësi të politikës amerikane, përfshirë:
-
Mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO
-
Presionin ndaj Serbisë për të zvogëluar lidhjet me Rusinë dhe Kinën
-
Ekspozimin e bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin në fusha të ndjeshme si teknologjia dhe siguria
-
Zgjerimin e sanksioneve ndaj individëve apo subjekteve që pengojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Gjithashtu, përmes këtij amendamenti, i kërkohet SHBA-së të emërojë ambasadorë në tri vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën.
“Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të zhvillojë një strategji për të rivendosur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i japë përparësi caktimit të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në vendet e Ballkanit, duke përfshirë qeveritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës; do të përfshijë rekomandime politike në lidhje me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e ardhshëm në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”, thuhet në një pjesë të këtij amendamenti.
Po ashtu, dokumenti thekson nevojën për mbështetjen e vazhdueshme të marrëveshjes së Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit me Kosovën./teve1.info/