Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në Facebook pamje sesi do të duket kompleksi memorial “Adem Jashari”.
Ai ka thënë se sot kanë propozimin fitues të master planit për këtë kompleks momorial.
“Pas një pune të gjatë dhe të përqendruar, e një periudhe të vlerësimit meritor, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona dhe ndërkombëtare, sot kemi propozimin fitues të master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, që zë një hapësirë rreth 450 hektarë në fshatin Prekaz”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se synimi i këtij projekti është që kompleksi të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks.
“Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e familjes Jashari të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe përballja epike e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së, ngjarjen historike si konkretësi universale, te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim”.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri e drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari”, ka shkruar Kurti .