Syri.net më herët publikoi një listë prej 11 deputetëve të thuhej se do të largohen nga Lëvizja e Vetëvendosje.
Në mesin e tyre figuronte edhe deputetja Adriana Matoshi e cila kategorikisht ka mohuar pretendimet e mediumit të gazetarit të Shqipërisë, Çim Peka.
“Nuk është aspak e vërtetë”, tha Matoshi, e kontaktuar nga Paparaci të hënën.
Ligjvënësja e pushtetit madje ka paralajmëruar padi ndaj “Syri.net” për artikullin e botuar gjatë ditës së sotme.
“Po u dashka me paditë kadal kadale. Unë sen nuk po di”, shtoi ajo për mediumin.
Portali “Syri.net” raportoi të hënën se deputetët që priten ta braktisin subjektin më të madh politik në Kosovë janë: Eman Rrahmani, Labinota Demi-Murtezaj, Fjolla Ujkani, Fatmir Humolli, Haki Abazi, Visar Korenica, Fitim Uka, Driton Hyseni, Fitim Haziri, Adriana Matoshi dhe Arjeta Fejza.
“Por, çarja më e madhe brenda Vetëvendosje u pa muajve të fundit nëpër disa degë. Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Viti, Rahovec, etj. janë qytetet ku individë të ndryshëm heshtazi u përplasen për të fituar garën e brendshme elektorale”, shkruan “Syri.net”.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto pretendime të “Syri.net”.