Ministri në largim, Fatmir Matoshi, përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook ka apeluar tek qytetarët të mos i ndezin zjarret, derisa persona të pandërgjegjshëm në këtë vikend kanë vazhduar me djegien e arave, gjë e cila ka shkaktuar tym dhe ndotje të ajrit.
“Situata aktuale e pa volitshme meteorologjike e cila është duke vazhduar qe një kohë të gjatë, e percjellur me thatësi, përveç problemeve hidrologjike të përcjellura me mungesa të ujit, po përcillet edhe me ndotje te ajrit si pasojë e mos qarkullimit të masave të ajrit në atmosferë, konkretisht shtresës të ulët të saj pranë sipërfaqes së tokës”, ka shkruar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ai tutje ka thënë se kjo situatë ka mundësuar koncetrim të lartë të ajrit të ndotur, shkaku i lirimit nga tymtarët e KEK-ut, përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse, por edhe nga zjarret e shkaktuara nëpër pyjet e Kosovës dhe nga djegia e pa kontrolluar e mbeturinave nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, sidomos gjatë “pastrimit” të kopshteve dhe arave.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për “pastrim” të arave, kopshteve etj. Po ashtu organet kompetente komunale, inspektorët, policia por edhe qytetarët të bashkëpunojnë me organet kompetente për tejkalim të kësaj situate”, ka përfunduar Matoshi.