Anëtarët e KPK-së ankohen se nuk po njoftohen me kohë për çështjet që diskutohen në mbledhjet e këtij këshilli
Me tensione ka kaluar mbledhja e 200-të e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).Kjo ngase anëtarët e KPK-së, Agron Beka dhe Jehona Grantolli patën ankesa në drejtim të kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, se ata nuk janë duke u njoftuar me kohë për çështjet që diskutohen në mbledhjet e KPK-së.Pasi që Maloku propozoj listën e prokurorëve që shërbejnë në panelet hetimore, në të cilën listë u përfshinë 13 prokurorë, profesori Agron Beka deklaroi se nuk është në rregull që anëtarët e KPK-së të njoftohen me këtë listë vetëm gjatë mbledhjes së sotshme.Beka tha se ai nuk i njeh prokurorët e propozuar dhe se i duhet kohë me e gjatë që t’i vlerësoj të njëjtit. Ai shtoi se në këtë listë ka edhe prokurorë që sipas tij nuk e meritojnë të jenë aty.Beka propozoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një datë tjetër, i cili propozim u aprovua nga anëtarët e këshillit.Përpos kësaj çështje, Beka tha se nga koha kur ai është bërë anëtarë i KPK-së, në vazhdimësi ka kërkuar që të pajiset me materiale para mbledhjeve të Këshillit.Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se anëtarët e KPK-së me të drejtë kërkojnë që të kenë mundësinë që të jenë në njohuri për çështjet që do të diskutohen në mbledhjet e këshillit.Lumezi kërkoi që të vazhdohet një praktikë, që sipas tij ka qenë më herët, që të gjithë anëtarët të njoftohen paraprakisht për të gjitha çështjet. Ai tha se duhet Zyra e Sekretariatit, në bashkëpunim me kryesuesin, t’i informojnë me kohë të gjithë anëtarët e këshillit.Ndryshe, Beka përpos kësaj çështje pati edhe vërejtje në procesverbalin e mbledhjes së 199-të të KPK-së, pasi sipas tij, në atë procesverbal në disa nga pjesët ku ai ka marrë fjalën është shkruar ndryshe nga ajo se çfarë kishte thënë ai.KPK në këtë mbledhje ka themeluar grupin punues për hartimin e Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial të Kosovës për periudhën 2022-2024, e po ashtu edhe u bë themelimi i një Paneli Hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë. Gjithashtu, prokurori Zejnullah Gashi u avancua në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.Pikë tjetër e rendit të ditës të KPK-së ishte edhe kërkesa e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) për ndryshimin e tarifave të kompensimit të avokatëve, mirëpo për këtë çështje KPK vendosi që kjo kërkesë të trajtohet nga dy komisionet e saj, Komisioni për Buxhet Financa dhe Personel si dhe Komisioni për Çështje Normative.Po ashtu, KPK miratoi edhe kërkesën u.d drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, për harmonizimin e praktikave me Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me unifikimin e kritereve për përvojën e punës së personelit – zyrtarëve ligjor.KPK vendosi që për takimin e radhës, të diskutohet për kundërshtimet e kandidatëve që janë intervistuar për avancim në Prokurorinë e Apelit dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, më 26 qershor 2021, ka raportuar se prokuroret Shemsije Asllani dhe Fitore Sadikaj po kundërshtojnë avancimet e disa kolegëve të tyre në Prokurorinë e Apelit.Kundërshtimin e tyre, prokuroret Shemsije Asllani dhe Fitore Sadikaj po e bazojnë në atë se këto avancime janë duke u tentuar të bëhen në mënyrë kundërligjore dhe në konflikt të interesit. /BetimipërDrejtësi