Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të mbahet seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Seanca është paraparë të mbahet në orën 9:00.Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.
Ndërsa dëshmitari Rade Nedelkoviq, i cili ishte roje në hotelin “Rajnska Banjska”, gjatë dëshmisë së tij të martën ka treguar se si katër persona e kishin sjellë ditën kritike një të plagosur në hotel.Nedelkoviq, ka thënë se disa prej anëtarëve të grupit janë akomoduar në hotelin ku ai ka punuar. Bashkë me ta, ka thënë se ka qenë edhe një person i plagosur.
Ai ka thënë se ka qenë i detyruar t’i lëshojë se kanë qenë të armatosur dhe nuk ka guxuar t’i refuzojë. Ka deklaruar se nuk e di kush kanë qenë sepse sipas tij, kanë qenë me maska.Prokurori e ka pyetur dëshmitarin se a e njeh Milan Radojqiqin. Dëshmitari tha se ka dëgjuar për të por që asnjëherë se ka parë. Prokurori e pyeti se a ka qenë Radojqiq ndonjëherë ne hotelin e tij.
“Mendoj se një herë ka qenë, sepse ai edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe”, u përgjigj dëshmitari.“A mendoni se ka qene organizator i këtij grupi”, vazhdoj prokurori special.
“Po ai vet e ka pranuar, çfarëdo qe mendoj unë, a i e ka marrë përgjegjësinë në vete. Ai vet nuk kishte guxuar ta bënte këtë gjë”, deklaroi dëshmitari.Të martën ka dëshmuar edhe Halim Behramaj. Ai ka thënë se punon polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.
“Rreth orës 2 përmes radiolidhjes një njësi kufitare ka njoftuar se në Banjskë është vendosur një barrikadë. Dy njësi kanë vazhduar menjëherë në atë drejtim, pas 2 minutave unë me kolegun Avni Shala, kemi vazhduar prapa tyre, nëse kanë nevojë për asistim. 500-600 metra pa shku në fshatin Banjskë, jemi taku me ta dhe vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore… pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, ne kemi qenë 30 metra larg barrikadës(vetura jonë e treta).
Jemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë kanë arritur te barrikada. Në atë moment polici Elez Peci na ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu të shpërndahemi”, ka thënë ai.Ai ka thënë se në vendin ku ka qenë barrikada ka pasur ndriçim të plotë, ndërsa në fshat errësirë totale.