Grupi Punues për analizimin dhe avancimin e shablloneve në SMIL, i udhëhequr nga prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula, ka mbajtur sot një takim me pjesëmarrjen e anëtarëve, kryeprokurorëve, prokurorëve, përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të Departamentit për Teknologji të Informacionit në Sekretariatin e KPK-së.
Qëllimi i këtij takimi ishte analizimi dhe avancimi i mëtejmë i shablloneve të gjeneruara nga sistemi SMIL, me synim përmirësimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të tij. Gjatë takimit, u prezantua lista aktuale e shablloneve që gjenerohen nga sistemi, si dhe u diskutua për rishikimin e formës dhe përmbajtjes së tyre.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që u trajtua ishte krahasimi ndërmjet formave të gjeneruara nga SMIL-i dhe vendimeve të hartuara nga prokurorët në praktikë dhe si rezultat i diskutimeve, u identifikuan dhe u përcaktuan pesë shabllone prioritare për rishqyrtim dhe ridizajnim.
Pjesëmarrësit theksuan se këto përmirësime do të kontribuojnë në standardizimin e dokumenteve prokuroriale dhe në ngritjen e efikasitetit të prokurorëve në punën e tyre të përditshme.
Me mbështetje të projektit KOSEJ planifikohet të organizohet një punëtori, në të cilën do të prezantohen draftet e këtyre shablloneve me qëllim të finalizimit të tyre.