Komisioni për Administrimin e Prokurorive, nën kryesimin e Kryetarit të Komisionit, z. Jetish Maloku, mbajti sot takimin e radhës, me pjesëmarrjen e anëtares së Komisionit, znj. Laura Pula, si dhe udhëheqëses së Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë (NJShPP), znj. Arta Kelmendi, udhëheqësit të Departamentit për Teknologji Informative në kuadër të Sekretariatit të KPK-së, z. Nexhat Haziri dhe përfaqësuesve të tjerë nga stafi profesional dhe administrativ.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte prezantimi dhe diskutimi gjithëpërfshirës i analizës së vlerësimit për nevojat për prokurorë në Prokurorinë Themelore në Prizren, me fokus të veçantë në identifikimin e mungesës së prokurorëve në departamentet e veçanta, si dhe i aktiviteteve të tjera që ndërlidhen me SMIL-in.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit shqyrtuan në detaje të dhënat dhe indikatorët relevantë të performancës, përfshirë numrin e lëndëve në procedim, ngarkesën për prokuror, trendët statistikore dhe parashikimet për fluksin e lëndëve në të ardhmen.
Në përfundim të takimit, Komisioni dha rekomandimin profesional për plotësimin sa më të shpejtë të pozitës së prokurorit në Departamentin për të Mitur në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prizren, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për garantimin e trajtimit adekuat dhe me prioritet të lëndëve që përfshijnë të mitur.
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves #KeshilliProkurorial #KPK #SKPK#