Në kuadër të Javës për të drejtat e viktimave të krimit, me moton “Zëri i viktimës, përgjegjësia jonë”, u mbajt Tryeza Regjionale me temën “Sistemi i drejtësisë në shërbim të viktimës – sfidat dhe përgjegjësitë tona të përbashkëta”, e organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave (ZMNV) në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe mbështetjen e OSBE-së.
Tryezën e hapi Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, znj. Bahtije Ademi, e cila theksoi rëndësinë e forcimit të qasjes së ndjeshme ndaj viktimave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të dhunës, duke nënvizuar se: “Drejtësia e vërtetë matet me mënyrën se si trajtojmë më të pambrojturit. Viktima duhet të jetë në qendër të sistemit tonë të drejtësisë.”
Pas saj, Udhëheqësi Regjional i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Gjilan, z. Gani Leci, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rolin thelbësor të mbrojtësve të viktimave në sigurimin e qasjes, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të viktimave gjatë gjithë procesit penal. Ai u shpreh se “Viktima nuk është vetëm pjesë e rastit penal, por qendra e drejtësisë sonë. Çdo veprim institucional duhet të ketë në themel ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë njerëzore ndaj saj.”
Në tryezë morën pjesë përfaqësues edhe nga Gjykata Themelore Gjilan, Policia e Kosovës, Qendrat për Punë Sociale, Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve ”Liria “ në Gjilan, Shërbimi Sprovues, përfaqësues nga zyra e avokatit të popullit, përfaqësues të institucioneve lokale dhe përfaqësues të OSBE-së.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e qasjes së koordinuar ndërmjet institucioneve në mbrojtjen e viktimave, mbështetjes psikologjike dhe garantimit të pjesëmarrjes aktive të viktimave në proceset gjyqësore.
Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të drejtë, më të ndjeshëm dhe më të besueshëm për qytetarët.
#SistemiProkurorial #ProkuroriShtetit #ZyraKryeprokuroritTeShtetit #ZyraKryeprokurorit #ProkuroriaThemeloreGjilan #PSH










