Në shtator të këtij viti, Komisioni Qendror Zgjedhor, ka marrë vendim që në zgjedhjet e 6 tetorit, të votohet vetëm më dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij udhëzimi, dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës, siç i parasheh neni 90 i Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ky vendim, do t’i përjashtojë nga mundësia për të votuar 118942 qytetarë, të cilët posedojnë dokumente të lëshuara nga UNMIK-u.
Këtë e ka konfirmuar në një përgjigje për Gazeta Blic, zyra e informimit në kuadër të MPB-së.
“Gjithsej janë 118942 letërnjoftime të UNMIK-ut të cilët nuk kanë marr LNJ të RKS-së”, thuhet në përgjigjen dhënë për Gazeta Blic.
Për këtë vendim të KQZ-së, pati reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i cili ka monitoruar katër palë zgjedhje në Kosovë pas përfundimit të luftës. Ky Këshill e përkrah udhëzimin e KQZ-së, të cilin e konsideron se është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, sikur që me asgjë nuk i shkel të drejtat e njeriut.
“Në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të votojnë edhe ata që kanë dy shtetësi e që KMDLNj mendon se nuk duhet të jetë ashtu dhe këtë të drejtë nuk e kanë të mohuar as votuesit e komunitetit serb, as malazias e as të komuniteteve tjera!”, theksohet në reagimin e KMDLNJ-së.
“Nëse një qytetar i Kosovës e ka dyshtetësinë, atëherë nënkuptohet se është i pajisur me dokumente të identifikimit dhe të tjera të dy shteteve dhe se i plotëson të gjitha të drejtat dhe të drejtën për votim”.
“Nëse një qytetar i Kosovës dhe i cili ka të drejtë për dyshtetësi, edhe 20 vite pas përfundimit të luftës nuk është pajisur me dokumentacion të vlefshëm të Kosovës, nuk ka asnjë të drejtë të ankohet se po i mohohet e drejta e votës për faktin se nuk i lejohet të votojë me dokumente të një shteti tjetër. Në këtë situatë, është e qartë se ka munguar vullneti dhe dëshira për pajisje me shtetësi dhe dokumente të Kosovës e që nënkupton se e refuzon Kosovën si shtet”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Andaj, ky Këshill e konsideron të drejtë vendimin, përkatësisht udhëzimin e KQZ-së.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për datën 6 tetor, pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas listës preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është 1.972.466.