Qeveria e Kosovës e ka miratuar në mbledhjen e sotme projekt-buxhetin për vitin 2023. Vlera e buxhetit, sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës, pritet të arrijë në mbi 3 miliardë euro.
Kurti ka thënë se Kosova ka arritur rekord historik për rritje ekonomike.
“Viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonomike. Kjo na vendos në trajektore të mirë për vitin e ardhshëm. Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro ”, ka thënë Kurti në hapje të mbledhjes së qeverisë.
Kurti ka folur më pas në detaje për disa nga projektet.
“Për sa i përket projekteve specifike për ato që reflektojnë programin tonë qeverisës, kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoriatet. Kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës, që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Inspektorë në shëndetësi më shumë. Më shumë inspektorë të tregut”, tha kryeministri i vendit.
“Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf ashtu që të gjitha çerdhet e ndërtuara deri më tani të funksionalizohen. E për 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara. Për vitin 2023, rritja e buxhetit për bujqit tanë ka mbërrirë për herën e parë shifrën 87 milionë euro”, tha Albin Kurti.
Kurti ka thënë se ka pasur rritje të mbështetjes edhe për siguri dhe mbrojtje.
“Mbështetja për siguri e mbrojtje bëhet më e rëndësishme. Kemi shtuar 300 pozita për Polici, e kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë”, deklaroi Kurti.
Detaje në lidhje me buxhetin e vitit 2023 ka dhënë edhe ministr i Financave, Hekuran Murati. Ai ka thënë se ky buxhet ka tri prioritete.
“Ky projekt-buxhet kryesisht ka tre objektiva: vazhdimi i konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike si pandemia, inflacioni e krizat energjetike. Sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale”, tha Murati.
“Sa u përket zhvillimeve të fundit makro-ekonomike dhe mbylljes së vitit 2022, pavarësisht situatës në luftën në Ukrainë, ekonomia e Kosovës ka vazhduar zgjerimin dhe ka treguar rezistencë të mjaftueshme për përballje me krizat”, theksoi më tutje ministri i Financave.
Ai ka bërë të ditur se planifikojnë rritje ekonomike mbi 5.5%
“Për vitin 2023, parashikohet rritja ekonomike mbi mestare historike. Rritje prej 5.5%, kurse kontributi do të vie nga investimet private, reduktimi i pasigurisë. Pritet dinamikë e ekzekutimit të investimeve publike. Edhe eksporti i mallrave pritet të vazhdojë me trendin rritës”, theksoi Murati.
“Projeksionet mbi të hyrat buxhetore janë të ndërtuara mbi këto parime: politikat tatimore do të jenë mbështetëse të sektorit privat, administrimi i tatimeve nga ATK dhe Doganat do të vazhdojë, do të merren veprime për aktivitetet joformale. Në vitin 2023 të hyrat buxhetore të arrijnë vlerën mbi 2 miliardë”, tha ai.
Zv/kryeministrja Emilia Rexhepi ka falënderuar qeverinë që sipas saj ka adresuar kërkesat e komunitetit boshnjak./Nacionale/