Këtë të diel në nivel vendi janë vaksinuar kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 800 persona.
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë gjatë ditës së sotme kanë marrë vaksinin 100 persona mbi moshën 65 vjeçare.
“100 persona janë vaksinuar në Sallën ‘1 Tetori’, ndërsa në nivel vendi rreth 800 persona kanë marrë vaksinën anti-Covid, Ndërsa mbi 64 mijë e 800 janë dhënë vaksina që nga fillimi”, tha Niman Bardhi, Koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori”.
Bardhi mes tjerash në konferencën për media tha se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar gjatë fundjavës ka qenë në rënie.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se në Kosovë kanë arritur 100 mijë e 620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e ka siguruar përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38 mijë e 400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15 mijë doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24 mijë dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca. Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë për synim që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.