Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të hyrat e qeverisë së përgjithshme gjatë tremujorit të parë (TM1) të vitit 2026 kanë arritur në 841.8 milionë euro.
Burimi kryesor i të hyrave mbeten tatimet në produkte, të cilat përbëjnë 68% të totalit, ndërsa tatimet rrjedhëse në të ardhura përfaqësojnë 17%. Aktivet dhe detyrimet financiare kontribuojnë me 7%, ndërsa pjesa tjetër e të hyrave vjen nga kategori të ndryshme.
Nga ana tjetër, shpenzimet e qeverisë së përgjithshme gjatë kësaj periudhe kanë arritur në 792.0 milionë euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve është dedikuar për kompensimin e punëtorëve me 38%, pasuar nga kontributet sociale dhe përfitimet me 31%, si dhe konsumi i ndërmjetëm me 12%.
Sipas klasifikimit funksional të shpenzimeve (COFOG), mbrojtja sociale ka përfituar pjesën më të madhe të buxhetit me 32% të totalit të shpenzimeve. Arsimi ka zënë 15% të shpenzimeve, çështjet ekonomike 13%, ndërsa shërbimet e përgjithshme 11%. Pjesa e mbetur e mjeteve është shpërndarë në sektorë të tjerë të aktivitetit qeveritar.

