Mbi 90.000 qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar si votues për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjve, Valmir Elezi ka thënë se 90 mijë e 860 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të votuar për zgjedhjet nacionale që mbahen më 9 shkurt 2025.
Elezi ka thënë se janë në shqyrtim edhe 18 mijë e 244 aplikime.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244. Ju njoftoj se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve.”, ka thënë Elezi. /Gazeta10/